Lipjan, 12 Gusht 2023 – Organizata YAHR, me rastin e Ditës së Rinisë, organizoi Konferencën Lokale për Rini me temën “Roli dhe Fuqizimi i Rinisë në Komunën e Lipjanit”. Konferenca u hap nga Fatbardha Hajdari, udhëheqëse e programit për rini në YAHR, e cila theksoi rëndësinë e rinisë si një energji pozitive për shoqërinë. “Të jesh i ri do të thotë të jesh i pandalshëm, i guximshëm dhe të jetosh me pasion,” tha ajo.
Konferenca u zhvillua në dy sesione. Në sesionin e parë, panelistët, përfshirë nënkryetarin e Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, diskutuan mbi rëndësinë e aktivizmit rinor. Bytyqi theksoi se rinia është e ardhmja e vendit dhe inkurajoi të rinjtë të punojnë në zhvillimin e personalitetit të tyre.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Anila Recica Llugiqi, nënvizoi se Departamenti për Rini ka fonde të veçanta për mbështetje aktiviteteve rinore dhe i inkurajoi të rinjtë të aplikojnë me projekte të rëndësishme për ta.
Z. Bekim Krasniqi nga shoqëria civile, theksoi nevojën për angazhim më të madh të rinisë në realizimin e synimeve të tyre.
Sesioni i dytë përfshiu punime në grupe, ku pjesëmarrësit identifikuan nevojat dhe prioritetet e të rinjve në vendbanimet rurale. Ky aktivitet është realizuar në kuadër të Planit të Veprimit Lokal Rinor 2022/24, mbështetur nga Komuna e Lipjanit, duke synuar një angazhim më të fortë dhe një zhvillim të qëndrueshëm për rininë e kësaj zone.
Rinia e Lipjanit dëshmon përmes këtij aktiviteti se është e gatshme të marrë iniciativën dhe të kontribuojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

Processed with Focos

Processed with Focos