11thMay

Nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit mes YAHR dhe Komunës së Lipjanit

11 Maj 2023 – Organizata YAHR dhe Komuna e Lipjanit kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me synim të ngritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse në nivel lokal. Ky hap i rëndësishëm synon të fuqizojë zërin e qytetarëve dhe të inkurajojë angazhimin e tyre në zhvillimin e politikave dhe vendimeve që ndikojnë në jetën e tyre.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Përfshirja qytetare në vendimmarrje lokale”, i cili mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe qeveria suedeze.

Nënshkrimi i këtij memorandumi është një tregues i angazhimit të përbashkët për të promovuar transparencën dhe përgjegjshmërinë në qeverisje, duke krijuar mundësi për qytetarët që të kontribuojnë aktivisht në proceset vendimmarrëse. Kjo nismë synon të forcojë lidhjet mes qytetarëve dhe institucioneve lokale, duke siguruar që nevojat dhe shqetësimet e komunitetit të marrin parasysh gjatë formulimit të politikave.

Përmes këtij bashkëpunimi, YAHR dhe Komuna e Lipjanit shpresojnë të krijojnë një model të suksesshëm të angazhimit qytetar, që mund të shërbejë si shembull për komunat e tjera në rajon.