KOMUNIKATË PËR MEDIA
Shkelje e procedurës ligjore nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes
Organizata Youth Association for Human Rights, në cilësinë e saj si monitoruese e transparencës dhe ligjshmërisë në funksionimin e pushtetit lokal, reagon ndaj shkeljes së procedurave ligjore në thirrjen e mbledhjes së fundit të Kuvendit Komunal në Shtime, të mbajtur më 03.04.2025.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, z. Adnan Ademi, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, konkretisht me nenin 43, paragrafi 3, ku thuhet qartë:
“Të gjithë anëtarët e kuvendit të komunës duhet të njoftohen paraprakisht me shkrim, ashtu siç kërkohet, shtatë (7) ditë pune para mbajtjes së mbledhjes.”
Sipas të dhënave të siguruara nga monitorimi ynë, ftesa për mbledhjen e mbajtur më 03 prill 2025 është publikuar dhe u është shpërndarë asamblistëve më 26 mars 2025, duke mos përmbushur afatin ligjor prej shtatë ditësh pune. Edhe pse në ftesë figuron data e protokollit 24.03.2025, fakti që ajo është shpërndarë dhe bërë publike më 26 mars, bie në kundërshtim me afatin ligjor.
Ky veprim përbën një shkelje të hapur të procedurës dhe, sipas mendimit tonë, e bën të pavlefshme mbledhjen, duke kërkuar që ajo të përsëritet në përputhje me ligjin.
Ftojmë institucionet komunale, në veçanti Kryesuesin e Kuvendit, që të respektojnë në përpikëri ligjet në fuqi dhe të sigurojnë një proces vendimmarrës transparent dhe ligjor, në shërbim të interesit të qytetarëve të Komunës së Shtimes.
Youth Association for Human Rights