Nga 1 deri më 3 maj 2026, u mbajt me sukses punëtoria tre ditore në Durrës me temën “Të drejtat dhe përgjegjësitë e të rinjve”, e organizuar me qëllim të fuqizimit të të rinjve dhe rritjes së njohurive të tyre mbi rolin që kanë në shoqëri.
Gjatë këtyre tri ditëve, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë mbi të drejtat e njeriut, kornizën ligjore në Kosovë, si dhe mbi të drejtat dhe përgjegjësitë që të rinjtë kanë në jetën shoqërore dhe qytetare. Përmes diskutimeve interaktive dhe aktiviteteve praktike u trajtuan tema që lidhen me pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, angazhimin qytetar dhe ndikimin në komunitet.
Një moment i veçantë i punëtorisë ishte edhe bashkëbisedimi me Drejtorin e DKRS-së në Komuna e Lipjanit, i cili ndau përvojën e tij dhe ofroi hapësirë për pyetje dhe diskutim me pjesëmarrësit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit të Veprimit Rinor 2025–2027 të Komuna e Lipjanit, i cili po zbatohet nga YAHR.
Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve për angazhimin, energjinë dhe kontributin gjatë këtyre ditëve!



