Rugovë, Pejë – 30 Gusht 2025
Në ditën e dytë të punëtorisë “Gratë në udhëheqje: Fuqizim për ndryshim në komunitet”, të organizuar nga Youth Association for Human Rights (YAHR), pjesëmarrëset vazhduan diskutimet dhe aktivitetet e fokusuara në ndërtimin e aftësive praktike të lidershipit dhe fuqizimin e rolit të tyre në jetën publike.
Programi i ditës së dytë u përqendrua në strategjitë për menaxhimin e sfidave në udhëheqje, planifikimin afatgjatë si dhe në ndërtimin e besimit në komunitet. Përmes punës në grupe, ushtrimeve praktike dhe prezantimeve, gratë lidere patën mundësi të testojnë aftësitë e tyre dhe të ndajnë qasje konkrete se si mund të sjellin ndryshim në shoqëri.
Një moment i veçantë i ditës ishte sesioni mbi rolin e grave në vendimmarrje, ku pjesëmarrëset theksuan se lidershipi nuk lidhet vetëm me pozitat formale, por mbi të gjitha me aftësinë për të frymëzuar dhe mobilizuar të tjerët.
“Dita e dytë na dha guxim dhe na kujtoi se secila prej nesh ka potencialin për të udhëhequr – qoftë në familje, në punë apo në komunitet,” tha njëra nga pjesëmarrëset në përmbyllje të aktivitetit.
Punëtoria është organizuar nga YAHR, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) – programi “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).
Përmbyllja e punëtorisë në Rugovë e la të qartë një mesazh: fuqizimi i grave dhe lidershipi i tyre janë çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit.