29thJul

Fuqizimi i grave në politikë: YAHR nënshkruan memorandume me përfaqësues politikë në Lipjan

Lipjan, 29 Korrik 2025 — Organizata Youth Association for Human Rights (YAHR) ka bërë një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të grave dhe vajzave në politikë, përmes nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit me dy figura të njohura politike në Komunën e Lipjanit: z. Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe z. Shukri Buja nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Këto marrëveshje janë pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Grave në Hartimin e Politikave Publike në Komunën e Lipjanit”, i cili synon të rrisë përfshirjen aktive të grave, veçanërisht atyre nga grupet e margjinalizuara, në proceset politike dhe vendimmarrëse për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Në deklaratën për media, përfaqësuesit e YAHR shprehën rëndësinë e këtij hapi drejt ndërtimit të një ambienti politik më gjithëpërfshirës dhe barazisë gjinore në qeverisje lokale. Nënshkrimi i këtyre memorandumeve sinjalizon angazhimin e subjekteve politike për të përfshirë çështjet gjinore në programet dhe politikat e tyre.

“Kjo është një nismë që synon jo vetëm të rrisë përfaqësimin e grave në politikë, por edhe të sigurojë që zëri i tyre të dëgjohet në mënyrë aktive në hartimin e politikave që prekin komunitetin,” theksoi përfaqësuesja e YAHR.

Në ditët në vijim, YAHR do të vazhdojë me nënshkrimin e memorandumeve të ngjashme me subjekte të tjera politike në Komunën e Lipjanit, me qëllim që të ndërtohet një konsensus i gjerë politik për barazi dhe përfshirje.

Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)‘EJA Kosovë II’, i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).