29thAug

Gratë në udhëheqje: Punëtoria në Rugovë fuqizon rolin e grave në komunitet

Rugovë, Pejë – 29 Gusht 2025

Në një atmosferë të gjallë dhe plot energji, Youth Association for Human Rights (YAHR) nisi sot punëtorinë dyditore me temën “Gratë në udhëheqje: Fuqizim për ndryshim në komunitet”, e cila po mbahet në Rugovë të Pejës.

Qëllimi i punëtorisë është fuqizimi i grave për të marrë rol aktiv në proceset vendimmarrëse dhe për të kontribuar në zhvillimin e komuniteteve të tyre. Ditën e parë, pjesëmarrëset patën mundësi të angazhohen në diskutime mbi aftësitë e udhëheqjes efektive, ku u theksua rëndësia e vizionit, vendimmarrjes dhe empatisë si elemente kyçe të lidershipit modern.

Një pjesë tjetër e punëtorisë iu kushtua menaxhimit të projekteve dhe komunikimit në komunitet, duke ofruar metodologji praktike për planifikimin, bashkëpunimin dhe ndërtimin e aleancave. Përveç përmbajtjes, pjesëmarrëset patën mundësi të shfrytëzojnë pushimet për rrjetëzim dhe shkëmbim përvojash, duke krijuar lidhje të reja përtej kufijve lokalë.

“Lidershipi i grave nuk është vetëm i nevojshëm, por është edhe një forcë transformuese për shoqërinë tonë. Këto sesione po na ndihmojnë të kuptojmë se si secila prej nesh mund të bëhet agjente ndryshimi në komunitetin e vet,” tha njëra nga pjesëmarrëset gjatë diskutimeve.

Ky aktivitet realizohet nga YAHR me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) – programi “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.

Punëtoria do të vazhdojë edhe nesër, ku pritet të thellohet më tej trajtimi i temave që lidhen me lidershipin, fuqizimin e grave dhe ndikimin e tyre në komunitet.