24thFeb

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për përfshirje digjitale në Lipjan

Në Lipjan është nënshkruar sot Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Youth Association for Human Rights (YAHR), Kosova Education Center – KEC dhe Komuna e Lipjanit, në kuadër të projektit rajonal të financuar nga Bashkimi Evropian “Iniciativa për Gjithëpërfshirje Digjitale (DII)”.

Ky memorandum formalizon bashkëpunimin ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve lokale me qëllim rritjen e përfshirjes digjitale në Komunën e Lipjanit, me fokus të veçantë tek të rinjtë, gratë dhe grupet e margjinalizuara.

Nëpërmjet këtij partneriteti parashihet organizimi i trajnimeve, punëtorive dhe programeve të mentorimit në fushën e arsimit dhe teknologjisë, si dhe krijimi i hapësirave komunitare edukative dhe digjitale që do të shërbejnë si qendra zhvillimi për komunitetin lokal. Një komponent i rëndësishëm i bashkëpunimit do të jetë edhe avokimi dhe dialogu institucional për hartimin e politikave lokale më gjithëpërfshirëse në fushën e digjitalizimit.

Përfaqësuesit e palëve theksuan se ky memorandum përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme dhe fuqizimit të komunitetit përmes rritjes së pjesëmarrjes qytetare në proceset digjitale. Projekti synon të kontribuojë në zvogëlimin e hendekut digjital dhe në krijimin e mundësive të barabarta për qasje në teknologji dhe arsim modern.

Nënshkrimi i këtij memorandumi konsiderohet si një moment i rëndësishëm për zhvillimin lokal, duke reflektuar angazhimin e përbashkët për një Lipjan më gjithëpërfshirës, më të barabartë dhe më të avancuar në aspektin digjital.