30thJun

Punëtoria “Zhvillimi Socio-Ekonomik Rajonal dhe Roli i të Rinjve” përfundoi me sukses në Rugovë

Rugovë, 30 Qershor 2025 – Gjatë datave 27-29 qershor 2025, në ambientet e Hotel Restaurant “Panorama” në Shtupeq të Madh, Rugovë, u zhvillua me sukses punëtoria treditore “Zhvillimi Socio-Ekonomik Rajonal dhe Roli i të Rinjve”, e organizuar nga Youth Association for Human Rights – YAHR, me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës.

Ky aktivitet përmbylli me sukses një agjendë të ngjeshur dhe përmbajtësore, duke sjellë së bashku të rinj nga rajone të ndryshme të vendit me qëllim fuqizimin e rolit të tyre në zhvillimin lokal dhe rajonal. Pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin njohuri të reja, të angazhohen në diskutime të frytshme dhe të zhvillojnë ide konkrete për përmirësimin socio-ekonomik të komuniteteve të tyre.

Dita e parë e punëtorisë, që u zhvillua më 27 qershor, u karakterizua nga sesione interaktive dhe informuese. Programi përfshiu një hyrje në konceptet bazë të sipërmarrjes, një ligjëratë të mbajtur nga z. Bekim Krasniqi mbi temën “Roli i inovacionit në zhvillimin lokal”, si dhe një trajnim praktik mbi hapat për fillimin e një iniciative ekonomike në komunitet. Pjesëmarrësit punuan gjithashtu në grupe për të modeluar ide të reja biznesi dhe morën pjesë në aktivitete bashkëpunuese që kishin për qëllim nxitjen e kreativitetit dhe ndërtimin e ekipit.

Gjatë tri ditëve, të rinjtë u treguan jashtëzakonisht të angazhuar dhe kontribuuan me ide të freskëta, reflektime të thella dhe energji pozitive. Aktivitetet u zhvilluan në një atmosferë dinamike që përkrahu bashkëpunimin dhe ndarjen e përvojave, duke dëshmuar se të rinjtë janë një aset i rëndësishëm në proceset zhvillimore të vendit.

Organizatorët vlerësuan lart pjesëmarrjen aktive dhe bashkëpunimin e të rinjve, ndërsa nga Ministria e Zhvillimit Rajonal u theksua rëndësia e përfshirjes së tyre në politikat dhe iniciativat për zhvillim të qëndrueshëm rajonal.

Punëtoria përmbylli me sukses një kapitull tjetër të përpjekjeve për fuqizimin e të rinjve si kontribuues aktivë në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.