Sot patëm kënaqësinë të realizojmë një sesion informues me nxënësit e Gjimnazit “Ulpiana”, ku prezantuam organizatën Youth Association for Human Rights (YAHR) dhe aktivitetet që organizata jonë synon të zhvillojë me të rinjtë në komunitet.
Gjatë këtij takimi, nxënësit u informuan më gjerësisht edhe për projektin “Digital Inclusion Initiative – DII”, përmes të cilit diskutuam mbi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme. Nxënësit patën mundësi të mësojnë për temat kryesore që trajton projekti, duke përfshirë sigurinë digjitale, mbrojtjen e të dhënave personale, mashtrimet online dhe identifikimin e llogarive të rreme në internet.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe përdorimit të teknologjisë për qëllime edukative dhe arsimore. Përmes këtij projekti, të rinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësitë e tyre digjitale dhe të përfitojnë nga trajnimet dhe aktivitetet që do të organizohen në kuadër të iniciativës.
Sesioni u karakterizua nga një pjesëmarrje aktive e nxënësve, të cilët treguan interes të madh duke bërë pyetje dhe duke ndarë mendimet e tyre rreth ndikimit të teknologjisë në shoqëri. Diskutimi ishte shumë interaktiv dhe frymëzues, duke i inkurajuar të rinjtë të reflektojnë mbi përdorimin pozitiv dhe të përgjegjshëm të teknologjisë në jetën e tyre të përditshme.
Falënderojmë nxënësit e Gjimnazit “Ulpiana” për mikpritjen, interesimin dhe pjesëmarrjen aktive gjatë këtij sesioni.
Projekti “Digital Inclusion Initiative – DII” financohet nga Bashkimi Evropian dhe synon të forcojë rolin e organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor në promovimin e demokracive pjesëmarrëse dhe procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian. Përmes këtij projekti synohet gjithashtu të rriten kapacitetet e organizatave për zhvillimin e politikave dhe avokimin për përfshirjen digjitale.


