29thAug

Takim Edukativ për Shëndetin e Grave në Janjevë nga YAHR

Janjevë, 29 Gusht 2023 – Në kuadër të programit të saj për barazi gjinore, Asociacioni Rinor për të Drejtat e Njeriut YAHR organizoi sot një takim pune me gratë e fshatit Janjevë. Ky aktivitet ofroi mundësinë për gratë të bashkëbisedojnë dhe të marrin informacione të rëndësishme nga dr. Egzona Bytyqi mbi shëndetin riprodhues dhe shëndetin e nënave.

Takimi përfshiu një diskutim të thelluar mbi tema të rëndësishme si shëndeti gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes, si dhe përkujdesi shëndetësor në planifikimin familjar. Dr. Bytyqi ndau informacion të vlefshëm dhe këshilla praktike për të ndihmuar gratë të sigurojnë një përvojë pozitive dhe plotësuese në këto faza të rëndësishme të jetës. Po ashtu, gratë u informuan për mekanizmat institucional që lehtësojnë raportimin e abuzimeve dhe për mënyrën se si të kontaktojnë autoritetet përkatëse në rast se përballen me probleme të tilla.

Fatbardha Hajdari, koordinatore e aktiviteteve në YAHR, theksoi rëndësinë e këtij takimi duke deklaruar: “Edukim për shëndetin riprodhues dhe shëndetin e nënave është një temë e cila rrallë herë diskutohet në vendin tonë. Si tema shumë të rëndësishme janë edhe shëndeti i grave gjatë shtatzënisë, lindjes së fëmijëve dhe periudhës pas lindjes. Përfshin dimensionet e kujdesit shëndetësor të planifikimit familjar, paragjykimit, kujdesit para lindjes dhe pas lindjes, në mënyrë që të sigurojnë një përvojë pozitive dhe plotësuese në shumicën e rasteve, të gjitha këto nuk janë të përfshira në kurrikula shkollore, andaj lind nevoja e plotësimit të kësaj zbrazëtire.”

Ky aktivitet është pjesë e një fushate më të gjerë që YAHR është duke zbatuar për të rritur vetëdijesimin e grave nëpër viset rurale të Komunës së Lipjanit. Fushata ka për qëllim të edukojë dhe të ndihmojë gratë në mbrojtjen e shëndetit të tyre, duke kombinuar përvojat dhe njohuritë për të përmirësuar shëndetin individual dhe kolektiv.

Ky aktivitet është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), si dhe nga Fondi i Grave të Kosovës. Angazhimi i këtyre organizatave është thelbësor për suksesin e këtij programi dhe për arritjen e qëllimeve të tij në mbështetje të barazisë gjinore dhe shëndetit të grave.