Lipjan, 5 Qershor 2023 – Organizata e shoqërisë civile YAHR organizoi sot një takim pune me Kryetarët e këshillave të fshatrave dhe përfaqësues të institucioneve lokale të Komunës së Lipjanit. Qëllimi i këtij takimi ishte krijimi i një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Këshillave të fshatrave dhe institucioneve lokale, për të forcuar zërin e komunitetit në proceset vendimmarrëse.
Këshillat e fshatrave ose lagjeve përfaqësojnë një formë të rëndësishme të organizimit të komuniteteve, duke ofruar mundësinë për të ndikuar në politikat e komunës. Pjesëmarrësit e këtij takimi theksuan rëndësinë e angazhimit të qytetarëve, veçanërisht të atyre që janë banorë të përhershëm të komunitetit, për të siguruar që vendimet e marra nga autoritetet lokale reflektojnë nevojat dhe shqetësimet e tyre.
Ky projekt mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).
Përmes këtij angazhimi, YAHR synon të promovojë një qeverisje më të hapur dhe më të përgjegjshme, duke fuqizuar zërin e qytetarëve dhe duke forcuar lidhjet mes institucioneve dhe komunitetit.