9thDec

Tryezë Diskutimi për Transparencën në Komunën e Lipjanit: Rekomandime për Përmirësimin e Rregullores Komunale

Lipjan, 9 dhjetor 2024 – Organizata e Shoqërisë Civile Youth Association for Human Rights (YAHR) mbajti një tryezë diskutimi të rëndësishme për Rregulloren Komunale për Transparencë të Komunës së Lipjanit, e cila është aktualisht në diskutim publik. Ky takim kishte për qëllim përfshirjen e aktorëve të ndryshëm, përfshirë përfaqësues të ekzekutivit, subjekte politike të Kuvendit Komunal dhe organizata të shoqërisë civile, në procesin e zhvillimit të kësaj rregulloreje, e cila synon të përmirësojë transparencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve lokale.

Pjesëmarrësit e tryezës diskutuan disa çështje të rëndësishme që kërkojnë përfshirje në rregulloren për transparencë. Një prej propozimeve kryesore të paraqitura nga Arsim Jashari, kuvendar, ishte që të përfshihet publikimi i shpenzimeve për drek/darka të përfaqësuesve të ekzekutivit në uebfaqen e Komunës së Lipjanit. Ky hap synon të rrisë transparencën në lidhje me përdorimin e fondeve publike dhe të mundësojë qytetarëve akses të drejtpërdrejtë në informacionin e rëndësishëm.

Po ashtu, Bekim Krasniqi, përfaqësues i shoqërisë civile, propozoi që mbledhjet e Këshillit të Drejtoreve të Komunës së Lipjanit të jenë të hapura për organizatat e shoqërisë civile, për t’u mundësuar atyre monitorimin e punës së institucioneve lokale. Ky propozim ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe qytetarëve, duke përfshirë një rol më aktiv të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse.

Rekomandimet e tjera që dolën nga ky takim përfshinë publikimin e raporteve mujore dhe javore të drejtorive komunale në uebfaqen zyrtare të Komunës dhe raportimin e vizitave të ekzekutivit jashtë vendit tek Kuvendi Komunal, duke përfshirë qëllimin dhe rezultatet e këtyre vizitave. Ky informacion do të ndihmojë qytetarët të kenë më shumë njohuri mbi aktivitetet e autoriteteve lokale dhe ndikimin e këtyre vizitave në zhvillimin e Komunës.

Këto propozime dhe rekomandime do t’i drejtohen ekzekutivit të Komunës së Lipjanit me qëllim që të integrohen në projektin e rregullores dhe të përmirësohet procesi i transparencës dhe përgjegjshmërisë në nivelin lokal. Ky proces i diskutimit dhe i përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të demokracisë dhe të besimit qytetar në institucionet publike.