Lipjan, 22 Dhjetor 2023 – Sot, ekipi i Programit për Rini i YAHR pati kënaqësinë të vizitonte Kryetarin e Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti. Gjatë këtij takimi, Kryetari u informua për rezultatet dhe përpjekjet e programit gjatë vitit 2023.
Koordinatori i Programit për Rini, Art Krasniqi, paraqiti një përmbledhje të aktiviteteve të realizuara gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se janë organizuar mbi 260 aktivitete me pjesëmarrjen e 960 të rinjve. Aktivitetet përfshinin trajnime dhe punëtori të ndryshme me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të rinjve në aftësi të buta, si komunikimi efektiv, menaxhimi i projekteve, dhe zhvillimi personal.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe planet për vitin 2024. Ekipi paraqiti aktivitetet dhe iniciativat e reja që janë në fazën e planifikimit, duke u fokusuar në ofrimin e mundësive të reja për zhvillim dhe rritje për të rinjtë e Lipjanit.
Kryetari Ahmeti shprehu mbështetje të plotë për programin dhe vlerësoi angazhimin e tij në ndihmën e zhvillimit të rinisë lokale. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar përparësitë dhe mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm.
Falënderojmë Kryetarin e Komunës për pritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të aktiviteteve që kontribuojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e mundësive për të rinjtë e Lipjanit. Jemi të gatshëm të vazhdojmë përpjekjet tona në vitin 2024 dhe të ofrojmë aktivitete që do të ndihmojnë në rritjen e potencialit të rinisë në këtë komunitet.