
LETËR E HAPUR
LETËR E HAPUR
Drejtuar:
- Qeverisë së Republikës së Kosovës
- Ministrisë së Ekonomisë
- Zyrës së Kryeministrit
Lënda: Kërkesë për përshpejtimin e procedurave për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Ulpiana” SH.A.
E nderuara Qeveri e Republikës së Kosovës,
Youth Association for Human Rights (YAHR), organizatë e shoqërisë civile që vepron në Komunën e Lipjanit tash e 25 vjet në mbrojtje të interesit publik, promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimin e pjesëmarrjes qytetare, shpreh shqetësimin e saj lidhur me gjendjen e menaxhimit të mbeturinave në Komunën e Lipjanit dhe kërkon përshpejtimin e procedurave institucionale për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Ulpiana” SH.A.
Menaxhimi i mbeturinave është një nga shërbimet më të rëndësishme publike që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit, cilësinë e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të komunës. Gjatë viteve të fundit, qytetarët e Lipjanit kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për cilësinë e këtij shërbimi, ndërsa vështirësitë me të cilat është përballur kompania rajonale “Pastrimi” kanë krijuar pasiguri për ofrimin e qëndrueshëm të shërbimeve.
Ne vlerësojmë se institucionet duhet të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të koordinuara për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme, efikase dhe në interes të qytetarëve. Një nga opsionet që Komuna e Lipjanit ka ndjekur është themelimi i Ndërmarrjes Publike Lokale “Ulpiana” SH.A., proces i cili ka filluar me Vendimin nr. 1-463/18-614 të datës 08.04.2021 për fillimin e procedurave për krijimin e kësaj ndërmarrjeje.
Kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga fillimi i procedurës, ndërsa qytetarët ende nuk kanë një epilog përfundimtar. Zvarritja e procedurave administrative krijon pasiguri institucionale dhe vonon vendimmarrjen për një shërbim që është esencial për jetën e përditshme të qytetarëve.
Ne nuk kërkojmë që institucionet qendrore të anashkalojnë procedurat ligjore. Përkundrazi, kërkojmë që ato të zhvillohen në mënyrë efikase, transparente dhe brenda afateve të arsyeshme administrative. Qytetarët meritojnë të dinë se në cilën fazë ndodhet procesi, cilat janë pengesat eventuale dhe kur pritet marrja e vendimit përfundimtar.
Prandaj, i bëjmë thirrje Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve kompetente që:
- të përshpejtojnë shqyrtimin e procedurave për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Ulpiana” SH.A.;
- të informojnë publikisht Komunën e Lipjanit dhe qytetarët për statusin aktual të procedurës;
- të sigurojnë që çdo vendimmarrje të bazohet në analizë profesionale, interes publik dhe respektim të plotë të legjislacionit në fuqi;
- të mos lejojnë që procedurat administrative të vonohen pa arsye, kur bëhet fjalë për një shërbim publik me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje edhe Komunës së Lipjanit që të vazhdojë të informojë qytetarët në mënyrë transparente për të gjitha zhvillimet lidhur me këtë proces dhe të publikojë dokumentacionin relevant në përputhje me legjislacionin për qasje në dokumente publike.
YAHR mbetet e përkushtuar të monitorojë këtë proces në mënyrë të pavarur dhe objektive, duke mbështetur çdo zgjidhje që respekton ligjin, garanton transparencën dhe siguron shërbime më cilësore për qytetarët e Komunës së Lipjanit.
Interesi i qytetarëve duhet të jetë prioriteti i çdo institucioni.
Me respekt,
Youth Association for Human Rights (YAHR)
Lipjan
30 qershor 2026
