Në epokën digjitale, teknologjia po ndryshon mënyrën se si mësojmë, komunikojmë dhe krijojmë.
Pikërisht për këtë, më 20 maj, po vazhdon cikli i trajnimeve me nxënësit e Gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan, në kuadër të projektit Digital Inclusion Initiative – DII, me fokus tek Inteligjenca Artificiale (AI) dhe përdorimi i saj në arsim.
Gjatë aktivitetit, të rinjtë patën mundësinë të njihen më afër me mënyrat se si AI mund të ndihmojë në procesin e të nxënit, në zhvillimin e kreativitetit dhe në avancimin e aftësive digjitale.
Përmes diskutimeve dhe shembujve praktikë, u trajtuan edhe sfidat dhe përgjegjësitë që vijnë bashkë me zhvillimin e teknologjisë. Ky trajnim nuk ishte vetëm një hapësirë informimi, por edhe një mundësi që të rinjtë të reflektojnë mbi rolin e tyre në një botë që po bëhet çdo ditë e më digjitale.
Ne synojmë që përmes edukimit dhe teknologjisë t’i ndihmojmë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të jenë më të përgatitur për mundësitë dhe ndryshimet e botës digjitale.
Ky projekt realizohet me përkrahjen e Kosova Education Center – KEC dhe financohet nga fondet e Bashkimit Evropian (BE).

