10thJun

Ligjëratë vetëdijesuese për mbrojtjen në internet në SHFMU “Emin Duraku”

 Me përdorimin e teknologjisë që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në jetën e përditshme të të rinjve, njohja e mënyrave për t’u mbrojtur në internet është bërë një nevojë e rëndësishme. Për të rritur ndërgjegjësimin e nxënësve rreth sigurisë digjitale, në SHFMU “Emin Duraku” në Banullë më 10 Qershor, u zhvillua një ligjëratë vetëdijesuese për mbrojtjen në internet dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë.

Ligjërata u udhëhoq nga profesori i teknologjisë, Leutrim Luma, i cili me nxënësit trajtoi tema që lidhen drejtpërdrejt me sfidat dhe rreziqet që mund të hasen në hapësirën digjitale.Gjatë ligjëratës u diskutua për sigurinë online, mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale, rreziqet që mund të paraqiten në rrjetet sociale, ndikimin e lojërave online, si dhe mënyrat për të identifikuar dhe shmangur kërcënimet në internet.

Përmes shembujve konkretë dhe diskutimeve me nxënësit, u theksua rëndësia e kujdesit gjatë përdorimit të internetit, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për ndarjen e informatave personale, komunikimin me persona të panjohur apo përmbajtjet që shpërndahen në rrjetet sociale.

Në një kohë kur interneti është pjesë e pandashme e jetës së të rinjve, edukimi për sigurinë digjitale mbetet një hap i rëndësishëm për krijimin e përdoruesve më të informuar dhe më të mbrojtur në hapësirën online.

Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të Digital Inclusion Initiative (DII), e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila synon të forcojë rolin e organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor në promovimin e demokracive pjesëmarrëse dhe procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian, duke rritur kapacitetet e tyre për zhvillimin e politikave dhe avokimin për përfshirjen digjitale.

Projekti realizohet me përkrahjen e Kosova Education Center (KEC).