18thJun

Të rinjtë diskutojnë për inteligjencën emocionale

Emocionet ndikojnë në mënyrën se si mendojmë, sillemi dhe ndërtojmë marrëdhënie me të tjerët. Por, për t’i menaxhuar ato në mënyrë të shëndetshme, fillimisht duhet të mësojmë t’i njohim dhe t’i kuptojmë. Pikërisht këtë temë e solli në qendër aktiviteti “Hajde t’Flasim për Inteligjencën Emocionale”, ku të rinjtë patën mundësi të flasin hapur për emocionet, stresin, vetëbesimin dhe mënyrën se si këto ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.

Aktiviteti u zhvillua në Bujtinën Nora, në Zym të Hasit, ku të rinjtë, përmes diskutimeve interaktive dhe ushtrimeve praktike, u njohën më nga afër me rëndësinë e inteligjencës emocionale dhe rolin e saj në mirëqenien personale dhe sociale.

Gjatë aktivitetit, psikologia Rinora Zejnullahu trajtoi tema që lidhen me njohjen dhe menaxhimin e emocioneve, përballimin e stresit, ndërtimin e vetëbesimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërpersonale. Përmes shembujve praktikë, aktiviteteve kreative dhe diskutimeve të hapura, pjesëmarrësit patën mundësi të reflektojnë mbi mënyrën se si i përjetojnë dhe i shprehin emocionet e tyre.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe përfshirja aktive e të rinjve, të cilët ndanë përvoja, mendime dhe këndvështrime të ndryshme, duke krijuar një hapësirë të sigurt për komunikim dhe reflektim.Sepse të kujdesesh për mirëqenien emocionale nuk do të thotë të mos përjetosh emocione të vështira, por të mësosh si t’i kuptosh dhe t’i përballosh ato në mënyrë të shëndetshme.

Aktiviteti “Hajde t’Flasim për Inteligjencën Emocionale” u realizua në kuadër të Planit të Veprimit Rinor Lokal 2025–2027 të Komunës së Lipjanit, i implementuar nga Youth Association for Human Rights (YAHR).