Dallimet nuk janë arsye për t’u ndarë, por mundësi për të mësuar nga njëri-tjetri. Me këtë mesazh, të rinjtë u mblodhën më 17 qershor në Zym të Hasit, në një aktivitet ndërgjegjësues që vuri në qendër tolerancën, respektin e ndërsjellë, barazinë dhe luftimin e diskriminimit.
Përmes lojërave edukative, aktiviteteve ndërvepruese dhe një ecjeje simbolike, pjesëmarrësit reflektuan mbi rëndësinë e pranimit të dallimeve dhe krijimit të një shoqërie ku secili ndihet i pranuar, i respektuar dhe i barabartë.
Aktiviteti krijoi një hapësirë pozitive për të rinjtë që të diskutojnë mbi vlerat që i bashkojnë komunitetet. Përmes aktiviteteve praktike, ata u nxitën të mendojnë për rolin që secili prej nesh ka në promovimin e respektit, empatisë, bashkëpunimit dhe përfshirjes.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe tryeza e diskutimit me të rinjtë, ku ata ndanë mendimet, përvojat dhe pikëpamjet e tyre rreth tolerancës dhe diskriminimit. Diskutimi solli në pah perceptimet e të rinjve, sfidat me të cilat përballen dhe nevojën për të vazhduar punën në ndërtimin e një mjedisi ku dallimet respektohen dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë.
Në fund, mesazhi ishte i qartë: diskriminimi nuk ka vend në shoqërinë tonë. Toleranca, mirëkuptimi dhe respekti janë vlera që na afrojnë, na bashkojnë dhe na bëjnë më të fortë si komunitet.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Sport 4 Inclusion”, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe AFD, në bashkëpunim me Play International, me qëllim promovimin e përfshirjes, barazisë dhe pjesëmarrjes përmes aktiviteteve sportive dhe edukative.

