Nga ideja në një hapësirë konkrete për nxënësit – grupi “Feniksi” po vazhdon punën për realizimin e “Këndit Kreativ të Nxënësve” në SHFMU “Emin Duraku” në Banullë. Në kuadër të monitorimit të projekteve të përzgjedhura në Garën Shkollore për Ide Kreative, YAHR zhvilloi një vizitë monitoruese për të parë nga afër progresin dhe aktivitetet e realizuara nga grupi.
Gjatë vizitës, ekipi i YAHR-së pa nga afër punën e nxënësve dhe mënyrën se si po zbatohet ideja e tyre për krijimin e një hapësire brenda shkollës, e cila synon të shërbejë për aktivitete edukative, kreative, sociale dhe mësim digjital.
Në kuadër të monitorimit u zhvillua një diskutim me nxënësit dhe mentorin e grupit, ku u fol për aktivitetet e realizuara deri më tani, progresin e projektit dhe hapat e ardhshëm drejt përfundimit të të gjitha aktiviteteve të parapara.
Vizita tregoi një angazhim të mirë të nxënësve dhe një qasje të organizuar në realizimin e projektit. Përmes kësaj nisme, grupi “Feniksi” po punon për të krijuar një hapësirë që mund të shërbejë si vend ku nxënësit jo vetëm mësojnë, por edhe zhvillojnë kreativitetin, bashkëpunojnë dhe realizojnë ide të reja.
Vizita monitoruese u realizua në kuadër të “Garës Shkollore për Ide Kreative”, të zhvilluar në kuadër të Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027 të Komunës së Lipjanit, të implementuar nga Youth Association for Human Rights (YAHR).

