7thSep

Vizitë monitoruese te grupi ”Yjet e Miqësisë” SHFMU ”Ismail Luma” Lipjan

Një ide që synon të rrisë sigurinë e nxënësve në hapësirat e shkollës po merr formë përmes angazhimit të grupit “Yjet e Miqësisë” nga SHFMU “Ismail Luma” në Lipjan. Në kuadër të monitorimit të projekteve të përzgjedhura në “Garën Shkollore për Ide Kreative”, YAHR realizoi një vizitë monitoruese për të parë nga afër progresin dhe punën e grupit në zbatimin e projektit të tyre.

Projekti i grupit “Yjet e Miqësisë” synon rritjen e sigurisë së nxënësve në oborrin e shkollës përmes vendosjes së një laure/barriere në hyrje të oborrit, duke krijuar një hapësirë më të kontrolluar dhe më të sigurt për nxënësit gjatë qëndrimit në shkollë.

Gjatë vizitës, ekipi i YAHR-së diskutoi me nxënësit dhe mentorin rreth ecurisë së projektit, aktiviteteve të realizuara dhe hapave që mbeten për t’u përmbushur. Monitorimi tregoi se grupi është aktiv, i përkushtuar dhe po punon në përputhje me idenë e propozuar.

Në përfundim të vizitës, u diskutuan hapat e mëtejshëm për realizimin e projektit dhe u dhanë rekomandime për vazhdimin e aktiviteteve sipas planit të paraparë. YAHR inkurajon grupin dhe mentorin që të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim dhe bashkëpunim deri në përfundimin e projektit.

“Gara Shkollore për Ide Kreative” synon të mbështesë të rinjtë në zhvillimin dhe realizimin e ideve që kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit shkollor dhe komunitetit. Ky aktivitet realizohet në kuadër të Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027 të Komunës së Lipjanit, të implementuar nga YAHR.