Një reagim i shpejtë dhe i duhur në një situatë emergjente mund të bëjë ndryshimin. Pikërisht këtë mesazh po e përcjellin “Ambasadorët e Shëndetit” nga SHFMU “Kadri Beba” në Ribar të Madh, përmes aktiviteteve të tyre në kuadër të Garës Shkollore “Ide Kreative”.
Në kuadër të projektit të tyre, nxënësit e grupit “Ambasadorët e Shëndetit”, nën mentorimin e drejtorit të shkollës, Nehat Terpeza, zhvilluan një aktivitet informues mbi ndihmën e parë dhe reagimin në situata emergjente. Aktiviteti u pasurua me një ligjëratë nga Pajtesa Brahimi nga QKMF-Lipjan dhe Koordinatorja e Edukimit Zhvillimor, Luljeta Reqica, të cilat ndanë me nxënësit njohuri dhe këshilla praktike për reagimin e duhur në raste emergjente.
Gjatë sesionit, nxënësit u njohën me parimet themelore të ndihmës së parë, mënyrat e reagimit në raste emergjente dhe hapat që duhet të ndërmerren kur një person ka nevojë për ndihmë. Përmes diskutimit dhe shembujve praktikë, ata patën mundësinë të kuptojnë më nga afër rëndësinë e reagimit të shpejtë, të qetë dhe të përgjegjshëm.
Përtej njohurive teorike, aktiviteti synon që këto aftësi të shërbejnë si një mjet i dobishëm për nxënësit edhe jashtë hapësirës së shkollës, duke i përgatitur ata që të jenë më të vetëdijshëm dhe më të përgjegjshëm në situata ku ndërhyrja e parë mund të jetë vendimtare.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të ‘Garës Shkollore “Ide Kreative”, të financuar nga Youth Association for Human Rights (YAHR), dhe kontribuon në zbatimin e Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027 të Komunës së Lipjanit.

