Të dëgjosh të rinjtë, të kuptosh sfidat e tyre dhe të krijosh hapësira konkrete për mbështetje kërkon bashkëpunim dhe dialog të vazhdueshëm. Në këtë frymë, YAHR zhvilloi një takim pune me psikologen Rinora Zejnullahu dhe ekipin e Digital Sisters, me fokus në çështjet që prekin drejtpërdrejt të rinjtë dhe mundësitë për të ndërmarrë iniciativa të reja në komunitet.
Gjatë takimit u diskutua për sfidat, nevojat dhe mundësitë e të rinjve, duke shkëmbyer ide dhe përvoja mbi mënyrat se si mund të krijohen më shumë hapësira dhe mundësi që kontribuojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e tyre.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe përfshirjes digjitale në Komunën e Lipjanit. Në këtë kuadër, u diskutua për gjendjen aktuale, progresin e arritur deri më tani, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të përfshirjes digjitale dhe krijimin e mundësive më të barabarta për të rinjtë në përdorimin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale.
Takimi shërbeu gjithashtu si një hap për të identifikuar ide dhe iniciativa të reja, të cilat mund të zhvillohen përmes bashkëpunimit ndërmjet akterëve lokalë dhe organizatave që punojnë me të rinjtë.
Për YAHR, bashkëpunimi me profesionistë, organizata dhe aktorë të tjerë të komunitetit mbetet i rëndësishëm për të kuptuar më mirë nevojat e të rinjve dhe për të ndërtuar iniciativa që u përgjigjen sfidave të tyre.
Dialogu, bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët krijojnë më shumë mundësi për një komunitet gjithëpërfshirës, ku të rinjtë kanë hapësirë të dëgjohen, të zhvillohen dhe të kontribuojnë.


