Zëri i qytetarëve është pjesë e rëndësishme e procesit të planifikimit të buxhetit. Në këtë frymë, Youth Association for Human Rights (YAHR) ka monitoruar ditën e parë të dëgjimeve publike të organizuara nga Komuna e Lipjanit për buxhetin e viteve 2027–2029.
Gjatë ditës u zhvilluan pesë dëgjime me kategori të ndryshme të qytetarëve dhe akterëve lokalë, ku u paraqitën kërkesa për investime dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Monitorimi i YAHR evidentoi dallime në pjesëmarrje dhe në nivelin e angazhimit të qytetarëve nga një takim në tjetrin.
Në dëgjimin me Asamblenë Komunale dhe komitetet, të mbajtur në Sallen e Kuvendit në Lipjan, morën pjesë 9 persona, prej tyre 7 kuvendarë dhe 2 përfaqësues të komiteteve. Në këtë takim u paraqitën disa kërkesa që lidhen me infrastrukturën dhe shërbimet publike, përfshirë zgjerimin dhe asfaltimin e rrugëve, ndriçimin publik, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, ndërtimin e urës për këmbësorë mbi lumin Sitnicë dhe zgjidhjen e problemit me furnizimin me ujë të pijshëm në Janjevë.
Në takimin me gratë dhe shoqatat e grave morën pjesë 14 gra dhe 5 burra nga ekzekutivi komunal. Sipas monitorimit të YAHR, në këtë dëgjim nuk u paraqitën kërkesa konkrete për planifikimin e buxhetit 2027–2029.
Edhe në dëgjimin me shoqërinë civile, të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara, klubet sportive dhe fermerët, ku morën pjesë përfaqësues të këtyre grupeve dhe pjesëtarë të ekzekutivit komunal, nuk u paraqitën kërkesa konkrete për buxhetin e ardhshëm.
Pjesëmarrje veçanërisht e ulët u evidentua në dëgjimin me qytetarët e Lipjanit dhe kryetarët e këshillave të fshatrave, ku ishte i pranishëm vetëm një kryetar i këshillit të fshatit Ribar i Vogël. Kërkesa e paraqitur në këtë takim lidhej me asfaltimin dhe zgjerimin e rrugëve në këtë fshat.
Ndërsa, në dëgjimin buxhetor në Gadime, morën pjesë 7 persona, përfshirë drejtorë të ekzekutivit, kuvendarë dhe zyrtarë komunalë. Kërkesat e paraqitura lidheshin me ndërtimin e një fushe sportive, zgjerimin e urave dhe rrugëve, si dhe rikonstruktimin e rrugës Babushë–Gadime, përfshirë trotuarin. Në këtë takim të gjithë pjesëmarrësit ishin burra.
Në përgjithësi, kërkesat e paraqitura gjatë ditës së parë u fokusuan kryesisht në infrastrukturën rrugore, ndriçimin publik, furnizimin me ujë, infrastrukturën shkollore dhe hapësirat sportive. Në të njëjtën kohë, monitorimi evidentoi pjesëmarrje të ulët në disa prej dëgjimeve dhe përfaqësim të kufizuar të qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të komunitetit.
Pjesëmarrja qytetare në dëgjimet publike është një element i rëndësishëm i procesit të planifikimit buxhetor, pasi u mundëson qytetarëve të shprehin nevojat dhe prioritetet e tyre dhe të kontribuojnë në përcaktimin e investimeve publike.
YAHR do të vazhdojë monitorimin e procesit të dëgjimeve publike, me fokus në transparencën, pjesëmarrjen qytetare dhe përfshirjen e nevojave të komunitetit në procesin e planifikimit të buxhetit për vitet 2027–2029.

