7thSep

“Ambasadorët e Shëndetit” sjellin ndihmën e parë më pranë nxënësve

Në një situatë emergjente, reagimi i duhur dhe në kohën e duhur mund të bëjë një ndryshim të madh. Pikërisht me këtë synim, grupi “Ambasadorët e Shëndetit” nga SHFMU “Kadri Beba” në Ribar të Madh po punon për krijimin e një “Këndi për dhënien e ndihmës së parë”, duke e kthyer sigurinë dhe kujdesin për shëndetin në një pjesë më të rëndësishme të jetës shkollore.

Në kuadër të monitorimit të projekteve të mbështetura përmes “Garës Shkollore për Ide Kreative”, ekipi i YAHR-it realizoi një vizitë monitoruese te grupi “Ambasadorët e Shëndetit”, me qëllim të shqyrtimit të progresit dhe ecurisë së projektit.

Projekti “Këndi për dhënien e ndihmës së parë” synon të rrisë vetëdijen e nxënësve për rëndësinë e ndihmës së parë, të promovojë kujdesin për shëndetin dhe të forcojë gatishmërinë e tyre për të reaguar në mënyrë të duhur në situata emergjente.

Gjatë vizitës u diskutua për rezultatet e arritura deri më tani, sfidat e hasura gjatë zbatimit të projektit, si dhe mënyrat se si kjo hapësirë mund të bëhet sa më funksionale dhe e dobishme për të gjithë komunitetin shkollor.

Përkushtimi i “Ambasadorëve të Shëndetit” tregon se të rinjtë mund të jenë pjesë aktive e krijimit të një mjedisi shkollor më të sigurt, duke sjellë ide që adresojnë nevoja konkrete dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e bashkëmoshatarëve të tyre.

“Gara Shkollore për Ide Kreative” mbështet nxënësit në zhvillimin dhe realizimin e ideve kreative që kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit shkollor dhe komunitetit. Ky aktivitet realizohet në kuadër të Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027 të Komunës së Lipjanit, të implementuar nga YAHR.