7thSep

“Gjeodetektivet” vazhdojnë punën për “Këndin e Sigurisë dhe Shëndetit” në SHFMU “Ismail Luma”

Një ide që synon ta bëjë shkollën më të sigurt po merr formë përmes angazhimit të nxënësve. Në kuadër të monitorimit të projekteve të përzgjedhura në Garën Shkollore për Ide Kreative, YAHR realizoi një vizitë monitoruese te grupi “Gjeodetektivet” nga SHFMU “Ismail Luma” në Lipjan, për të parë nga afër progresin në realizimin e projektit të tyre “Këndi i Sigurisë dhe Shëndetit”.

Projekti synon të krijojë një hapësirë informuese dhe edukative brenda shkollës, ku nxënësit mund të marrin informacione dhe të zhvillojnë njohuritë e tyre për sigurinë, kujdesin ndaj shëndetit dhe mënyrën e reagimit në situata emergjente.

Gjatë vizitës, ekipi i YAHR-së u njoh nga afër me aktivitetet e realizuara deri më tani dhe me mënyrën se si grupi po e zhvillon idenë e tij. Në diskutimin me nxënësit dhe mentoren u fol për progresin e projektit, aktivitetet e përfunduara dhe hapat që mbeten për realizimin e plotë të tij.

Angazhimi i nxënësve gjatë zbatimit të projektit tregoi interesin dhe përgjegjësinë e tyre për ta shndërruar idenë e propozuar në një hapësirë konkrete dhe të dobishme për komunitetin e shkollës.

Përmes “Këndit të Sigurisë dhe Shëndetit”, “Gjeodetektivet” synojnë të kontribuojnë në krijimin e një kulture më të madhe të sigurisë dhe kujdesit në shkollë, duke i pajisur bashkëmoshatarët e tyre me njohuri që mund të jenë të rëndësishme edhe në situata të përditshme.

Vizita monitoruese u realizua në kuadër të “Garës Shkollore për Ide Kreative”, në kuadër të Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027 të Komunës së Lipjanit, të implementuar nga Youth Association for Human Rights (YAHR).