Një foto e shpërndarë pa menduar, një fjalëkalim i dobët apo një klikim në një lidhje të dyshimtë mund të kthehen në rrezik. Për këtë arsye, të dish si ta përdorësh teknologjinë nuk mjafton, duhet të dish edhe si të mbrohesh. Kjo ishte në qendër të një sesioni informues me nxënësit e SHFMU “17 Shkurti” në Gllogovc të Komunës së Lipjanit më 16 Qershor, ku u diskutua për mënyrat e përdorimit të sigurt dhe të përgjegjshëm të internetit.
Gjatë sesionit u trajtuan çështje që lidhen drejtpërdrejt me përditshmërinë e të rinjve në hapësirën digjitale, duke përfshirë mbrojtjen e privatësisë, sigurinë e të dhënave personale, identifikimin e rreziqeve online dhe sjelljen e përgjegjshme në rrjetet sociale.
Përmes shembujve praktikë dhe diskutimeve me nxënësit, u fol për situata që mund të hasen gjatë përdorimit të internetit dhe për mënyrat se si duhet reaguar përballë tyre. Nxënësit patën mundësi të ndajnë mendimet dhe përvojat e tyre, duke e kthyer sesionin në një hapësirë të hapur për diskutim rreth sfidave reale me të cilat përballen të rinjtë online.
Mesazhi ishte i qartë: siguria në internet fillon me vetëdije. Të rinjtë duhet të dinë çfarë informacioni ndajnë, kujt i besojnë online dhe si t’i dallojnë situatat që mund t’i rrezikojnë ata ose të dhënat e tyre.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Digital Inclusion Initiative (DII), e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila synon të forcojë rolin e organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor në promovimin e demokracive pjesëmarrëse dhe procesin e përafrimit me BE-në, duke rritur kapacitetet për zhvillimin e politikave dhe avokimin për përfshirjen digjitale.
Projekti realizohet me përkrahjen e Kosova Education Center (KEC).

