Nxënësit e SHFMU “Ismail Luma” kanë marrë pjesë në një aktivitet edukativ kushtuar rëndësisë së ndihmës së parë, i organizuar nga grupi “Gjeodetektivet”, nën mentorimin e mësimdhënëses Luljeta Zaskoku.
Aktiviteti u zhvillua në formën e një gare mes dy grupeve të nxënësve, të cilët përmes një kuizi testuan njohuritë e tyre mbi ndihmën e parë dhe mënyrat e reagimit në situata emergjente.
Përveç garës, aktiviteti kishte për qëllim rritjen e informimit dhe vetëdijesimit për rëndësinë e njohjes së procedurave bazë të ndihmës së parë. Përmes kësaj forme interaktive, nxënësit patën mundësi të vënë në pah njohuritë e tyre dhe të kuptojnë rëndësinë e reagimit të duhur në raste emergjente.
Njohja e procedurave të ndihmës së parë konsiderohet aftësi e rëndësishme për të gjithë, pasi ndërhyrja e duhur dhe në kohë mund të ndihmojë në shpëtimin e jetëve.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027 të Komunës së Lipjanit, ndërsa implementohet nga YAHR.

