Në SHFMU “Ismail Luma” në Lipjan është përuruar barriera e parkingut në oborrin e shkollës, një projekt i realizuar nga grupi joformal i nxënësve “Yjet e Miqësisë”, fitues i grantit në kuadër të garës shkollore “Gara Shkollore për Ide Kreative”, të organizuar nga YAHR.
Projekti ka ardhur si rezultat i idesë dhe angazhimit të nxënësve, të cilët përmes kësaj iniciative kanë kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe funksionalitetit të hapësirës shkollore.
Në realizimin e projektit rol të rëndësishëm ka pasur edhe mentorimi i Fitore Tmavës, e cila ka mbështetur grupin gjatë procesit të zhvillimit dhe realizimit të kësaj nisme.
Përurimi i barrierës automatike dëshmon rëndësinë e mbështetjes së ideve të të rinjve dhe krijimit të mundësive që ata të jenë pjesëmarrës aktivë në identifikimin e nevojave dhe realizimin e ndryshimeve konkrete në shkollën dhe komunitetin e tyre.
Përmes garës “Gara Shkollore për Ide Kreative”, YAHR synon të nxisë kreativitetin, iniciativën dhe pjesëmarrjen aktive të nxënësve, duke u ofruar mbështetje ideve që sjellin përfitime për mjedisin shkollor dhe komunitetin.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027, pjesë e zbatimit të Strategjisë për Zhvillimin dhe Fuqizimin e Rinisë 2025–2030 të Komunës së Lipjanit.

