Një klikim mund të kursejë kohë, të shmangë pritjet dhe ta lehtësojë qasjen e qytetarëve në shërbimet publike.. Pikërisht me këtë synim, gratë dhe prindërit nga komunitetet etnike në SHFMU “Ismajl Luma” në Lipjan u bënë pjesë e një trajnimi praktik për përdorimin e platformave elektronike, me fokus të veçantë në e-Kosova.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrëset u njohën nga afër me mënyrën e qasjes në platformën e-Kosova, krijimin dhe përdorimin e llogarisë, si dhe me mundësitë që ofrojnë shërbimet elektronike për qytetarët. Përmes shembujve praktikë, ato patën mundësi të kuptojnë se si shërbimet që dikur kërkonin kohë dhe pritje mund të jenë tashmë të qasshme në mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë përmes teknologjisë.
Trajnimi nuk u kufizua vetëm në pjesën teknike. Diskutimet u përqendruan edhe në sfidat që gratë dhe prindërit hasin gjatë përdorimit të teknologjisë, nevojën për më shumë informim dhe rëndësinë e krijimit të besimit në përdorimin e shërbimeve digjitale.
Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrëset u inkurajuan që teknologjinë ta shohin jo vetëm si një mjet komunikimi, por edhe si një mundësi për të pasur qasje më të shpejtë, më të sigurt dhe më të pavarur në shërbimet publike.
Fuqizimi digjital i qytetarëve është veçanërisht i rëndësishëm për grupet që përballen me barriera në qasjen në informacion dhe shërbime. Prandaj, aktivitete të tilla synojnë të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie ku shërbimet digjitale janë më të kuptueshme dhe më të qasshme për të gjithë.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Digital Inclusion Initiative (DII), e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila synon të promovojë përfshirjen digjitale dhe qasjen e barabartë në shërbime për qytetarët. Projekti mbështetet nga Kosova Education Center (KEC).

