10thJun

Sesion vetëdijësues për sigurinë në internet me nxënësit e SHFMU “Kadri Beba”

Një klikim i pakujdesshëm, një informacion i shpërndarë pa menduar apo një komunikim me personin e gabuar mund të kthehet në një rrezik real. Pikërisht për këtë, nxënësit e SHFMU “Kadri Beba” në Ribar të Madh u bënë pjesë e një sesioni informues dhe vetëdijësues për sigurinë në internet, ku në qendër të diskutimit ishin përvojat, dilemat dhe sfidat me të cilat të rinjtë përballen çdo ditë në botën digjitale.

Sesioni u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të YAHR dhe u fokusua në mënyrën se si të rinjtë e përdorin teknologjinë në jetën e përditshme, duke u ndalur te situatat reale që mund t’i hasin gjatë përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale.

Gjatë diskutimit, nxënësit patën një rol aktiv. Ata ndanë përvoja nga përditshmëria e tyre digjitale, ngritën dilema dhe diskutuan për situata që mund të duken të zakonshme, por që mund të sjellin pasoja kur mungon kujdesi dhe vetëdija për sigurinë online.

Biseda u përqendrua edhe në rreziqet që jo gjithmonë janë të dukshme në internet. Përmes shembujve konkretë, nxënësit u nxitën të mendojnë më shumë për mënyrën se si i përdorin rrjetet sociale, çfarë informacioni ndajnë online dhe si reagojnë kur përballen me situata të dyshimta apo të pasigurta.

Përtej informimit, qëllimi i këtyre sesioneve është krijimi i një hapësire ku të rinjtë ndihen të lirë të flasin për atë që realisht u ndodh në internet. Pikërisht përmes këtij dialogu, YAHR synon të identifikojë më mirë sfidat dhe nevojat e tyre dhe të ndërtojë aktivitete e mbështetje që i përgjigjen më drejtpërdrejt realitetit të tyre.

Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të Digital Inclusion Initiative (DII), e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila synon të forcojë rolin e organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor në promovimin e demokracive pjesëmarrëse dhe procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian, duke rritur kapacitetet e tyre për zhvillimin e politikave dhe avokimin për përfshirjen digjitale.

Ky projekt mbështetet nga Kosova Education Center (KEC).