Një ndihmë e dhënë në momentin e duhur mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes. Pikërisht këtë mesazh përcolli aktiviteti i grupit “Gjeodetektivet” nga SHFMU “Ismail Luma” në Lipjan, ku nxënësit patën mundësinë të mësojnë dhe praktikojnë njohuri bazë për ndihmën e parë.
Nën mentorimin e mësimdhënëses Luljeta Zaskoku, aktiviteti u zhvillua më 9 Qershor në kuadër të Garës Shkollore për “Ide Kreative”, të financuar nga Youth Association for Human Rights (YAHR), duke sjellë në shkollë një përvojë praktike që synon t’i përgatisë të rinjtë për situata në të cilat reagimi i shpejtë dhe i saktë është i domosdoshëm.
Gjatë aktivitetit, nxënësit u udhëzuan nga profesionistë të fushës, ndër ta edhe Dr. Sokol Shala, të cilët u prezantuan mënyrat e reagimit në raste emergjente. Përmes demonstrimeve dhe shembujve praktikë, nxënësit mësuan se si të veprojnë kur një person gjendet pa ndjenja, si dhe si të reagojnë në situata të tjera që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Përveç pjesës praktike, iniciativa e grupit “Gjeodetektivet” ka lënë një rezultat konkret edhe në hapësirat e shkollës. Këndi i ndihmës së parë është pajisur me materiale dhe pajisje të nevojshme, duke krijuar mundësi më të mira për zhvillimin e mësimit praktik dhe për reagim më të organizuar në rast nevoje.
Ideja e “Gjeodetektivëve” tregon se një iniciativë e nxënësve mund të sjellë ndryshim të prekshëm në komunitetin shkollor – duke e bërë shkollën jo vetëm një vend ku mësohet, por edhe një hapësirë ku të rinjtë përgatiten për të reaguar me përgjegjësi ndaj situatave reale.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027 të Komunës së Lipjanit, të implementuar nga YAHR.

