Digjitalizimi nuk ka vlerë nëse mundësitë që ai sjell nuk janë të qasshme për të gjithë. Pikërisht për këtë u zhvillua tryeza diskutuese “Gjithëpërfshirja Digjitale në Komunën e Lipjanit – Sfidat, Mundësitë dhe Bashkëpunimi Institucional”, ku përfaqësues të institucioneve publike, organizatave dhe akterë të tjerë lokalë diskutuan se si Lipjani mund të krijojë më shumë mundësi për qasje të barabartë në botën digjitale.
Në kuadër të tryezës, Youth Association for Human Rights (YAHR) prezantoi gjetjet kryesore të Vlerësimit të Nevojave Digjitale në Komunën e Lipjanit, duke sjellë në diskutim sfidat që qytetarët përballen në përdorimin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale, si dhe nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive digjitale.
Diskutimi u fokusua në disa prej çështjeve kryesore që ndikojnë në gjithëpërfshirjen digjitale, përfshirë qasjen në shërbimet publike digjitale, zhvillimin e aftësive digjitale, përfshirjen e grupeve që përballen me barriera në përdorimin e teknologjisë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet institucioneve dhe organizatave lokale.
Pjesëmarrësit ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi sfidat ekzistuese, duke diskutuar njëkohësisht edhe mundësitë konkrete për përmirësimin e qasjes dhe përdorimit të shërbimeve digjitale në komunë.
Nga diskutimet u nxorën rekomandime konkrete, të cilat synojnë të shërbejnë si bazë për përmirësimin e politikave dhe praktikave lokale dhe për krijimin e një mjedisi digjital më të qasshëm, më gjithëpërfshirës dhe më të dobishëm për të gjithë qytetarët.
Gjithëpërfshirja digjitale nuk është vetëm çështje teknologjie, është çështje mundësish të barabarta. Prandaj, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, organizatave dhe akterëve lokalë mbetet thelbësor për të siguruar që askush të mos mbetet pas në procesin e transformimit digjital.
Tryeza u organizua nga Youth Association for Human Rights (YAHR) në kuadër të Digital Inclusion Initiative (DII), të financuar nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Kosova Education Center (KEC), me fokus në forcimin e kapaciteteve dhe promovimin e gjithëpërfshirjes digjitale.

