3rdSep

YAHR mirëpret në takim pune përfaqësuesit e Komunës së Lipjanit

Bashkëpunimi ndërmjet organizatave rinore dhe institucioneve lokale është thelbësor për krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë. Në këtë frymë, YAHR mirëpriti në zyrat e saj Drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Lipjanit, z. Astrit Buja, dhe Zyrtarin për Rini, z. Bekim Zaskoku, me të cilët u diskutua për punën e deritanishme dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm.

Gjatë takimit, ekipi i Youth Association for Human Rights (YAHR) prezantoi aktivitetet, iniciativat dhe projektet e realizuara deri më tani, duke ndarë edhe rezultatet e arritura në punën me të rinjtë dhe komunitetin.

Pjesë e diskutimit ishin edhe angazhimet aktuale të YAHR-së, projektet që janë duke u zhvilluar dhe mënyrat se si këto iniciativa mund të vazhdojnë të krijojnë më shumë hapësira për pjesëmarrjen, zhvillimin dhe fuqizimin e të rinjve në Komunën e Lipjanit.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet YAHR-së dhe institucioneve komunale, me synim që përmes angazhimit të përbashkët të adresohen më mirë nevojat e të rinjve dhe të krijohen iniciativa të reja në funksion të komunitetit.

Vizita shërbeu edhe si një mundësi për të ndarë vizionin dhe prioritetet për punën e ardhshme, duke riafirmuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet sektorit civil dhe institucioneve lokale.