30thJun

YAHR monitoron Mbledhjen e 7-të të Kuvendit të Komunës së Lipjanit

Youth Association for Human Rights (YAHR) ka monitoruar punimet e Mbledhjes së 7-të të Kuvendit të Komunës së Lipjanit, të mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal, me fokus në përcjelljen e procesit të vendimmarrjes dhe promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare në nivel lokal.

Në këtë mbledhje, Kuvendi ka shqyrtuar një sërë çështjesh që lidhen me menaxhimin financiar, zhvillimin dhe administrimin e komunës. Ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishin Korniza Afatmesme Buxhetore 2027–2029, rritja e buxhetit nga tejkalimi i të hyrave vetanake për vitin 2025 dhe bartja e të hyrave vetanake të viteve 2024 dhe 2025 në vitin 2026.

Në rend dite ishin edhe Propozim-Rregullorja për taksat dhe gjobat komunale, Plani i Transportit Rrugor të Udhëtarëve me autobus për periudhën 2026–2030, si dhe propozimet për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave të reja publike.

Kuvendi ka shqyrtuar gjithashtu çështje që lidhen me mbështetjen e fermerëve përmes subvencionimit të qumështit, ndryshimin e titullarëve të disa pronave të paluajtshme në institucione arsimore, kompensimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Lokale “Pastrimi”, si dhe administrimin dhe dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të komunës.

Përmes monitorimit të rregullt të punës së Kuvendit Komunal, YAHR synon të kontribuojë në rritjen e transparencës institucionale dhe në informimin e qytetarëve për vendimet dhe proceset që ndikojnë në jetën e komunitetit.