Youth Association for Human Rights (YAHR) po monitoron punimet e Mbledhjes së 8-të të Kuvendit të Komunës së Lipjanit, me qëllim të përcjelljes së procesit të vendimmarrjes në nivel lokal dhe promovimit të transparencës, llogaridhënies dhe informimit të qytetarëve.
Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje janë përfshirë një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin dhe qeverisjen e komunës, ndër të cilat aprovimi i ekstraktit nga mbledhja e kaluar, raporti për zbatimin e Hartës Zonale të Komunës së Lipjanit për periudhën 1 korrik 2025 – 30 qershor 2026, si dhe propozimi për formimin e Komisionit përzgjedhës Ad-hoc për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet publike edukativo-arsimore.
Nrë rend dite janë edhe ndryshimi i përbërjes së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), raporti i shpenzimeve dhe të hyrave për periudhën janar–qershor 2026, si dhe raporti i Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Lipjanit për vitin 2025 dhe plani për zbatimin e rekomandimeve të auditorit.
Kuvendi pritet të shqyrtojë gjithashtu Raportin vjetor për Njësinë e Auditimit të Brendshëm (NJAB) për vitin 2025.
Përmes monitorimit të punës së Kuvendit Komunal, YAHR synon të kontribuojë në rritjen e transparencës së institucioneve lokale dhe në përmirësimin e qasjes së qytetarëve në informacion mbi vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në komunitet.

