Organizata YAHR ka organizuar në Durrës punëtorinë treditore “Rinia Gjithëpërfshirëse dhe e Sigurt”, me pjesëmarrjen e të rinjve nga Komuna e Lipjanit, me fokus në parandalimin dhe luftimin e bullizmit, fuqizimin e të rinjve dhe promovimin e një mjedisi të sigurt e gjithëpërfshirës.
Punëtoria ka nisur me përcaktimin e rregullave të përbashkëta të komunikimit dhe bashkëpunimit, me qëllim krijimin e një hapësire ku secili pjesëmarrës të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i lirë për të shprehur mendimet e tij. Gjatë kësaj dite, vëmendje e veçantë iu kushtua bullizmit, ndikimit të tij te të rinjtë dhe mënyrave të parandalimit të këtij fenomeni. Përmes lojërave interaktive, diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit trajtuan rëndësinë e respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe mbështetjes ndaj personave që përballen me bullizëm.
Dita e dytë u përqendrua në trajtimin e rasteve konkrete të bullizmit, ku të rinjtë patën mundësi të analizojnë situata reale, të diskutojnë sfidat dhe të propozojnë zgjidhje praktike për adresimin e tyre. Një rëndësi e veçantë iu kushtua nxitjes së iniciativave nga vetë të rinjtë, duke i inkurajuar ata të kalojnë nga diskutimi në veprim dhe të ndërmarrin hapa konkretë për parandalimin e bullizmit në shkollë dhe komunitet.
Ndërkaq, dita e tretë iu kushtua identifikimit të nevojave, sfidave dhe prioriteteve të të rinjve. Përmes diskutimeve të drejtpërdrejta, pjesëmarrësit patën mundësi të shprehin shqetësimet dhe të paraqesin idetë e tyre për krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe gjithëpërfshirës.
Idetë dhe propozimet e dala nga diskutimet do të shërbejnë gjithashtu si kontribut në procesin e hartimit të Planit Lokal të Veprimit Rinor 2028–2030, me synim që nevojat dhe perspektivat e të rinjve të reflektohen në politikat dhe aktivitetet e ardhshme lokale për rininë.
Përmes kësaj punëtorie, YAHR synon të fuqizojë të rinjtë që të bëhen pjesë aktive e parandalimit dhe luftimit të bullizmit, duke i inkurajuar ata të marrin iniciativa dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një mjedisi ku secili ndihet i sigurt, i respektuar dhe i përfshirë.
Aktiviteti realizohet në kuadër të Strategjisë për Rini 2025–2032 dhe Planit Lokal të Veprimit për Rini 2025–2027 të Komunës së Lipjanit, të implementuar nga YAHR.




