Përdorimi i sigurt dhe i përgjegjshëm i teknologjisë vazhdon të jetë në fokus të aktiviteteve të YAHR me të rinjtë. Në SHFMU “Ismail Luma” në Lipjan më 10 Qershor u zhvillua një tjetër sesion informues dhe vetëdijësues, i cili trajtoi sigurinë në internet dhe sfidat me të cilat përballen të rinjtë në hapësirën digjitale.
Sesioni u udhëhoq nga profesori i teknologjisë, Leutrim Luma, me të cilin nxënësit diskutuan për mënyrën se si teknologjia dhe interneti janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së tyre, por edhe për rreziqet që mund të shfaqen gjatë përdorimit të tyre.
Përmes bashkëbisedimit me nxënësit, aktiviteti nuk u fokusua vetëm në përcjelljen e informatave për sigurinë digjitale. Diskutimi krijoi hapësirë që të rinjtë të ndajnë përvojat, shqetësimet dhe sfidat që hasin gjatë përdorimit të internetit dhe teknologjisë.
Kjo qasje i mundëson YAHR-së që, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me të rinjtë, të kuptojë më mirë nevojat dhe problemet reale me të cilat ata përballen në hapësirën digjitale. Njohja e këtyre sfidave shërben si bazë për zhvillimin e aktiviteteve dhe mbështetjes që janë më të përshtatura me realitetin dhe nevojat e të rinjve.
Cikli i sesioneve synon të kontribuojë në krijimin e një brezi më të informuar dhe më të vetëdijshëm për mënyrën se si përdor teknologjinë, duke i pajisur të rinjtë me njohuri që mund t’i ndihmojnë të jenë më të sigurt dhe më të përgjegjshëm në internet.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Digital Inclusion Initiative (DII), e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila synon të forcojë rolin e organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor në promovimin e demokracive pjesëmarrëse dhe procesin e përafrimit me BE-në, duke rritur kapacitetet e tyre për zhvillimin e politikave dhe avokimin për përfshirjen digjitale.
Projekti realizohet me përkrahjen e Kosova Education Center (KEC).

